Biden shpall sanksione kundër udhëheqësve ushtarakë të Mianmarit – Alsat

Udhëheqësit e ushtrisë së Mianmarit, i njohur edhe si Birmania, do të përballen me sanksione amerikane, për shkak të grusht shtetit të cilin SHBA-ja e ka dënuar.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka miratuar udhrin ekzekutiv që parasheh sanksione kundër pjesëtarëve të ushtrisë. Biden u bëri thirrje gjeneralëve të Mianmarit të heqin dorë nga pushteti dhe të “tregojnë respekt për vullnetin e popullit të Birmanisë”.

Ai bëri thirrje për lirimin e udhëheqësve politikë të arrestuar gjatë grusht shtetit. Sanksionet do të shënjestrojnë interesat biznesorë dhe familjet e ngushta të udhëheqësve të ushtrisë. Duke paralajmërua marrjen e më shumë masave ndaj tyre, Biden tha se gjeneralët nuk do të kenë qasje në 1 miliardë dollar pasuri në Shtetet e Bashkuara.

Më 1 shkurt, ushtria mori pushtetin në vendin e Azisë Juglindore. Ushtria arrestoi udhëheqësen politike, Aung San Suu Kyi dhe qindra ligjvënës të tjerë. Pas këtij veprimi, udhëheqësit e grushtit të shtetit kanë formuar një Këshill Suprem i cili do të zëvëndësojë kabinetin qeverisës.

Marrja e pushtetit nga ana e ushtrisë erdhi pas akuzave për manipulime në zgjedhje nga ana e partisë Lidhja Kombëtare të Demokracisë (NLD), të cilën e udhëheq Aung San Suu Kyi. Këto pretendime janë kundërshtuar nga Komisioni i Zgjedhjeve.

Në Mianmar më pas shpërthyen protestat kundër grushtit të shtetit. Policia ka përdorur topa uji dhe plumba gome ndaj protestuesve.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price, u tha gazetarëve se demonstratat e vazhdueshme “tregojnë aspiratat e njerëzve të Birmanisë për demokraci”.

Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara kanë dënuar përdorimin e forcës kundër protestuesve, të cilët po kërkojnë rikthimin e një qeverie civile.

Këto janë protestat më të mëdha në këtë vend në një dekadë. Ato kanë rikthyer në kujtesë kryengritjet e përgjakshme për të rrëzuar sundimin ushtarak që kishte zgjatur gjysmë shekulli. Më 2011 ushtria filloi të heqë dorë nga pushteti.

The post Biden shpall sanksione kundër udhëheqësve ushtarakë të Mianmarit appeared first on Alsat.

LEXO EDHE:

Back to top button