Gjendet i vdekur ish ministri grek – Alsat

Gjendet i vdekur në moshën 77-vjeçare Sifis Valiraqis, ish ministër i Pasok. Ka qenë i ndjekur dhe persekutuar nga junta e kolonelëve. Në 1971 u arratis në Shqipërinë komuniste.
Ish ministri grek Sifis Valiraqis u gjet i vdekur prej rojës bregdetare greke në afërsi të Eretrias, 40 km në veri të Athinës. Sipas rojes bregdetare greke, politikani i njohur grek, u gjet në det, vetëm pak metra larg motoskafit të tij i cili u gjet me motorë të ndezur.

Ka qenë bashkëshortja e tij që njoftoi autoritetet pasi Valiraqis nuk ishte kthyer në banesë mbas një shëtitje që kishte bërë me skafin e tij në ujërat e qeta të gjirit të Eretrias.

Menjëherë në zonë kanë mbërritur forcat e rojës bregdetare, të cilat fillimisht gjetën skafin tip gomone, motorët e të cilit ishin ende në punë, ndërsa pak me tej u gjet trupi i pa jetë i tij.

Dyshimet e para janë të rënies nga mjeti lundrues, dhe humbje të jetës si pasojë e ipotermisë, pasi në zonë temperatura ishte rreth 6 gradë celsius. Sifis Valiraqi ishte politikan tepër i njohur i së majtës Greke.

Ai kishte aktivitet të fortë politik kundër juntës ushtarake të kolonelëve. Valiraqi ishte në listën e personave të cilësuar si tepër i rrezikshëm prej diktaturës Helene.

Ai u burgos disa herë. Valiraqis mundi të arratiset nga burgu në Greqi, por u kap gjatë tentativës së tij për të kaluar në jugosllavi në vitin 1971.

Po atë vit u burgos sërish në Korfuz, nga ku mundi të arratiset dhe të kalojë me not në Shqipërinë komuniste, ku kërkoi azil politik. Fillimisht u akuzua prej sigurimit si agjent grek dhe u dënua me 3 vjet punë të detyruar në fier, por në vazhdim u lirua prej qeverisë së Enver Hoxhës falë ndërhyrjes së komunistëve maoistë të kinës, të cilët ndërmjetësuan lirimin e tij.

Vitet e Valiraqis në Shqipëri ishin të qeta, dhe me rënien e juntës, u rikthye sërish në Greqi.

Ai mbajti marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë dhe miqtë e tij në Shqipëri.

Valiraqis njihej si mik i shqiptarëve, madje ishte mbrojtësi i të drejtave të emigrantëve shqiptarë që jetonin në vend.

Disa herë kishte kritikuar operacionet fshesa, dhe ishte një ndër inicuesit e ligjit për pajisjen e emigrantëve shqiptarë me leje qëndrimi në vend.

Nga viti 1977-2003 zgjidhej rregullisht deputet i Hanisë në Kretë.

Ai shërbeu si ministër i transportit dhe ministër i rendit, ndërsa u largua përfundimisht nga politika në vitin 2003.

Figura e Valiraqit ishte e diskutueshme në qarqet politike vendase dhe ato europiane, ndërsa amerikanët dyshonin se ai ishte shef i organizatës terroriste 17 Nëntori.

 

The post Gjendet i vdekur ish ministri grek appeared first on Alsat.

LEXO EDHE:

Back to top button