Kosova lehtëson edhe më tej masat kundër koronavirusit

Qytetarët që hyjnë në territorin e Kosovës, nuk do të duhet që të vetizolohen për shtatë ditë, njoftoi të shtunën ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Po ashtu nga 8 qershori, do të hiqet kufizimi i lëvizjes nga ora 21:00 deri në orën 5:00, masë kjo ky që hyri në fuqi më 1 qershor.

Në një konferencë për media, ministri Zemaj tha se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, pas analizimit të situatës epidemiologjike ka konstatuar se ajo është e qëndrueshme, prandaj qytetarët që hyjnë në territorin e Kosovës, do të kontrollohen nga ekipet mjekësore dhe gjendja e tyre klinike do të përcillet nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në komunat përkatëse.

“Bazuar në këto rekomandime, qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen masës së izolimit shtëpiak shtatëditor, ndërsa në vend të testimit të obliguar për COVID-19, për ata që hyjnë do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore në pikat kufitare.Bazuar në situatën epidemiologjike, Ministria e Shëndetësisë do të mundësojë lëvizje të plotë të qarkullimit të qytetarët dhe mallrave në veçanti me Republikën e Shqipërisë, ndërsa kemi adresuar edhe kërkesat e qytetarëve nga Lugina e Preshevës që edhe ndaj tyre të mos aplikohen masa që paraqesin pengesa për lëvizjen për në Kosovë”, tha ministri Zemaj.

Ministri i Shëndetësisë porositi qytetarët që të respektojnë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore – duke mbajtur maska dhe duke praktikuar distanicimin fizik – dhe i bëri thirrje inspektorateve që të ndëshkojnë të gjithë ata persona dhe biznese, të cilët nuk respektojnë masat dhe që rrezikojnë shëndetin e popullatës.

Në Kosovë, më 1 qershor nisi faza e tretë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit.

Rastet e para me koronavirus janë regjistruar më 13 mars. Për të frenuar përhapjen e koronavirusit, autoritetet në Kosovë shpallën gjendje emergjente të shëndetit publik.

Deri më 5 qershor, në Kosovë janë regjistruar1,158 raste me koronavirus, ku 876 janë shëruar dhe 30 pacientë kanë vdekur.

Me shume

LEXO EDHE:

Back to top button