Merkel: Mutacionet e virusit mund të shembin rezultatet e arritura deri tani – Alsat

Ne e dimë se rreziku i mutacioneve mund të asgjësojë sukseset tona dhe të provokojë përsëri një rritje eksponenciale të rasteve me koronavirus, deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel duke folur në Bundestag për të justifikuar vendimet e marra dje në samitin e landeve, që vendosi bllokimin deri më 7 mars.

Merkel shpjegoi se qëllimi aktual është që të rikthehet prirja normale e zinxhirit të infeksioneve, në mënyrë që nëse do të vinte një valë e tretë, këtë herë me një variant të ri, dikush ta përmbajë rritjen eksponenciale.

“Ekspertët na shpjeguan se është vetëm çështje kohe dhe se ky mutacion do të fitojë terren duke bërë që virusi i vjetër të tërhiqet”, theksoi Merkel.

“Kjo nuk na pëlqen, por duhet të jetojmë me realitetin dhe të merremi me të”, shtoi kancelarja.

Merkel gjithashtu theksoi se në muajt e ardhshëm “fushata e vaksinimit nuk do të mbrojë komunitetin, por vetëm individin”.

Drejtuesit ranë dakord dje që shtetet do të vendosnin vetë për çështjen e rihapjes së shkollave, por parukerive iu dha drita jeshile për të filluar përsëri veprimtarinë nga 1 marsi.

“Lehtësimi i mëtejshëm i kufizimeve të pandemisë do të vijë vetëm kur niveli i incidencës shtatëditore do të jetë i qëndrueshëm në një maksimum prej 35 infeksioneve të reja për 100 000 banorë”, sipas një dokumenti pas vendimit të marrë në përfundim të konferencës së drejtuesve të shteteve.

Kur të arrihet kjo shifër, tregjet, muzetë, galeritë si dhe kompanitë që ofrojnë shërbime do të mund të rihapen.

Merkel theksoi se një valë e tretë infektimesh ishte e mundur për shkak të varianteve të reja.

The post Merkel: Mutacionet e virusit mund të shembin rezultatet e arritura deri tani appeared first on Alsat.

LEXO EDHE:

Back to top button