Ministri Vitia: Dy ilaçe janë treguar efektive kundër Covid 19, i kemi kontaktuar prodhuesit

 

 

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, thotë se janë porositur 7000 teste shtesë dhe dy lloje të barnave që, sipas tij, kanë rezultuar si ndihmuese për të prekurit nga virusi Covid-19.

Ai thotë se është porositur edhe një aparat që do të kryejë teste në kohë reale për ata që dyshohet se janë prekur ngs virusi.

“Është përgatitur kërkesa për porositjen edhe të testeve shtesë. Kemi siguruar edhe një aparat tjetër për realizimin e testeve në kohë reale, që vjen nesër. Informatat nga QKUK-ja janë se gjendja e të prekurve që po trajtohen aty, që janë 13, është stabile, me përjashtim të pacientit më të moshuar që po trajtohet herë pas here me oksigjen. Dje dhe sot kemi marrë informatat e para se Remdesivir dhe Piravir janë treguar të suksesshëm në trajtimin e të infektuarve. Sot janë kontaktuar kompanitë prodhuese dhe ambasadat, dhe po shpresojmë që një kontingjent të këtyre barnave ta pranojmë sa më shpejt”, ka thënë Vitia.

Ai thotë se Kosova ka 120 respiratorë dhe se është në bashkërendim të vazhdueshëm me Organizatë Botërore të Shëndetësisë dhe Zyrën përfaqësuese të Bashkimit Evropian.