Osmani – Reinsalu: Estonia e përkrahë tërësisht integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë se Veriut, Bujar Osmani, sot kishte video takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Estonisë, Urmas Reinsalu, i cili është pjesë e aktiviteteve diplomatike të ministrit Osmani në prag të Samiteve evropiane të Bashkimit Evropian, kur priten vendimet kyçe për finalizimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e Konferencës ndërqeveritare deri në fund të vitit si fillim formal i bisedimeve.

Osmani, siç informojnë nga Kabineti i tij, në video takimin, e ka përshëndetur mbështetjen e fuqishme që e dërgon Estonia për përkushtimin tonë në realizimin e standardeve evropiane në të gjitha sferat.

“Presim që në periudhën që vijon të kryhen të gjithë përgatitjet dhe harmonizimet për t’u mbajtur Konferenca e parë ndërqeveritare që do të shënojë fillimin e mbylljes së kapitujve për anëtarësimin tonë në BE, si hap i parë drejt ndërtimit të së ardhmes sonë të përbashkët”, theksoi Osmani.

Ministri Reinsalu, siç informojnë nga MPJ-ja, e riafirmoi angazhimin për forcimin e mëtutjeshëm të miqësisë në mes dy shteteve, e përshëndeti përkushtimin e ministrit Osmani në përpjekjet për anëtarësim në BE dhe bëri me dije se ky kurs duhet të vazhdojë të zbatohet në vendin tonë.

Në bisedë, gjithashtu, u shqyrtuan edhe mundësitë për intensifikimin e dialogut të lartë politik, bashkëpunimin në fushën e sigurisë brenda kornizave të NATO-s, por edhe nëpërmjet pjesëmarrjes së ekspertëve tanë në Qendrën e NATO-s për sajber siguri në Talin, si dhe potencialet në tregti, energjetikë, IT dhe teknologji digjitale.

LEXO EDHE:

Back to top button