Provime me lekë studentëve, si u kapën “mat” pedagogu dhe sekseri në Korçë, ja paratë që ju gjetën

Një pedagog i fakultetit të Shkencave  të Natyrës dhe atyre Humane në universitetin “Fan Noli”  të Korçës së bashku me një person tjetër kanë rënë në prangat e policisë për mitmarrje.

Të arrestuarit janë Alket Dino dhe Xhevi Dervishi.

Pedagogu Dino, i cili jepte mësim në degët Filozofi, Sociologji dhe Administrim Politikash Sociale, dyshohet se ka përfituar shuma monetare në këmbim të dhënies së provimeve për studentët.

Ndërkohë, Dervishi dyshohet se ka bërë ndërmjetësin mes pedagogut dhe studentëve.

Shoqërimi i tyre është bërë mbrëmjen e të mërkurës, 23 shtator 2020.

“Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. D., 34 vjeç, banues në Korçë (me detyrë pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe atyre Humane) dhe Xh. D., 35 vjeç (sekser) të dy banues në Korçë” njoftoi policia.

Pedagogu së bashku me sekserin sipas policisë janë kapur në afërsi të këtij Fakulteti me një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”.

LEXO EDHE:

Back to top button