SHBA, republikanët e Kongresit sfidojnë çertifikimin e votës elektorale – Alsat

Nënpresidenti i SHBA Mike Pence tha të mërkurën se ai nuk beson që ka kompetencën për të pranuar ose refuzuar votat elektorale në mënyrë të njëanshme, por mirëpriti përpjekjet e ligjvënësve për të ngritur kundërshtime në lidhje me ato që ai quajti “parregullsi të votimit”.

Zoti Pence, nën nën trysninë e fortë të Presidentit Donald Trump për të vonuar çertifikimin e fitores së Presidentit të zgjedhur Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, u tha ligjvënësve në një letër se ai do të bënte detyrën e tij për të garantuar se shqetësimet në lidhje me zgjedhjet do të dëgjohen në mënyrë “të drejtë dhe të hapur”.

“Kur lindin mosmarrëveshje në lidhje me zgjedhjet presidenciale, sipas Ligjit Federal, janë përfaqësuesit e popullit që shqyrtojnë provat dhe zgjidhin mosmarrëveshjet përmes një procesi demokratik,” tha zoti Pence, i cili po kryeson një sesion të përbashkët të Kongresit për çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Anëtarët e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve u mblodhën pas mesditës në një seancë të përbashkët të Kongresit për të numëruar dhe certifikuar votat elektorale që rezultuan nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Ky hap rutinë dhe përgjithësisht ceremonial që normalisht do të zyrtarizonte fitoren e demokratit Joe Biden, këtë radhë është kthyer në një provë të besnikërisë së republikanëve ndaj Presidentit Trump. Mbi 100 ligjvënës besnikë të presidentit pritet ta sfidojnë procesin e certifikimit.

Procesin e sfiduan të parët ligjvënësit e Arizonës.

Sipas rregullores, çdo kundërshti mund të debatohet deri në dy orë; po ashtu duhet kohë që të numërohen votat në secilën Dhomë. Si rezultat, kjo ceremoni zakonisht e shkurtër, pritet të kthehet në një seancë të tejzgjatur.


LEXO EDHE:

Back to top button